Fyle: Berishës i dërgova letër

27/01/2011 15:50

Megjithë situatën tepër të rënduar politike në Shqipëri, vetëm një eurodeputet, socialdemokrati rumun Viktor Bostinaru, nga dhjetëra të pranishëm në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian, pyeti komisionerin Shtefan Fyle mbi situatën aktuale në vend, cfarë duhej bërë për të shmangur një situatë edhe më shpërthyese, sipas tij, dhe cfarë do të ndodhë nëse palet nuk arrijnë në një zgjidhje.

Fyle u pergjigj fillimisht me një këshillë për liderët politikë në vend. “Unë shpresoj që udhëheqësit e të dy krahëveë do të kuptonin pasojat, nëse ata do të vazhdojnë të sillen rreth kësaj orbite. Ata duhet ta kishin kuptuar se ajo që po ndodh tani shkon në të vërtetë në kurriz të Shqipërisë dhe në kurriz të interesave të shqiptarëve”, deklaroi Fyle.

Komisioneri rrëfeu se disa ditë para demonstratës, ai i kishte dërguar një letër qeverisë shqiptare për reformat, ngërcin politik dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale, letër në të cilën ai vetë ofronte sërish ndihmë për negociata si ato te “Krokodili” në Strasburg, nëse do të ishte nevoja.

“Ne patëm nisur një letër disa ditë para kësaj demonstrate, ku për fat të keq njerëzit u vranë jashtë dyerve. Këtë leter ia drejtuam qeverisë dhe aty ngrinim cështjet që qendrojnë që prej raportit të fundit të progresit mbi zgjerimin, duke theksuar se duhen bërë të gjitha përpjekjet për adresimin e sfidave përpara zgjedhjeve lokale të majit, një palë tjetër zgjedhjesh këto që po afrohen. Dhe pika e tretë ishte ritheksimi se pa zgjidhje reale të ngërcit politik do ishte shumë e vështirë që të arrihej ndonjëfarë progresi, përsa i takon perspektivës evropiane. Por cfarë është më e rëndë akoma është se e gjithë kjo po sjell pasoja për jetën e njerëzve në Shqipëri”, pohoi Fyle.

“E madje, unë shkova dhe përtej linjës sime tradicionale, kur në letër iu referova darkës së famshme te “Krokodili” vitin e kaluar dhe theksova, se ne jemi në kontakt me të dy liderët e shquar të familjeve kryesore politike në Parlamentin Europian dhe ofrojmë gatishmërinë tonë të vazhdueshme për të ndihmuar, në rast se të dy liderët shqiptarë do të dëshironin sërish angazhimin tonë, e nese ata vetë nuk do të ishin të aftë të kapercenin pjesën e fundit të rrugës në kërkimin e një zgjidhjeje politike”, theksoi ai.

Pas shpjegimit të këtij mesazhi drejtuar kryeministrit Berisha tre ditë para demonstratës së 21 janarit, komisioneri për Zgjerimin theksoi se në këtë moment duhet mbështetur ndërmjetësuesi i BE-së Miroslav Lajcak, ndërsa sipas tij ndërkombëtaret duhet të unifikojnë mesazhet që i dërgojnë Shqipërisë.

“Ajo që unë mendoj se është e rëndësishme në këtë moment, është që Miroslav Lajcak ka mbështetjen pa rezerva të të gjitha institucioneve europiane, si i dërguari special atje i Catherine Ashton. Por unë kam biseduar dhe me institucione të tjera, fola me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Europës, me kabinetin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, si dhe me vende apo shtete të tjera të rëndësishme apo dhe me organizma të tjerë sic është OSBE, pasi të gjithë ne nevojitet që të jemi të bashkuar përsa i takon mesazheve që duam të përcjellim”, tha më tej Fyle.

Komisioni Europian i ka kërkuar qëverisë edhe një plan aksioni të detajuar mbi 12 prioritetet kyce që përmenden në opinionin mbi Shqipërinë.

Burime konfidenciale treguan për TCH se ky dokument pritej të dorezohej këto ditë, meqenëse pala shqiptare kishte premtuar që në dhjetor dërgimin e tij në fund të muajit janar, ose në fillim të muajit shkurt.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel