“Jo dhunës, jeta garantohet me ligj”

27/01/2011 20:35

Kriza politike, korrupsioni dhe ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku mbetën të vrarë tre qytetarë, ka mbledhur në një tryezë të përbashkët anëtarët e Forumit Civil 2010, i cili kryesohet nga ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani.

Në deklaratën e përbashkët të anëtarëve të këtij forumi theksohet që partitë politike duhet të shmangin aktet e dhunës në demonstrata dhe nga ana tjetër qeveritarët dhe drejtuesit e rendit të respektojnë tubimet paqësore dhe të shmangin përdorimin e dhunës dhe cënimin e jetës, e cila garantohet me ligj.

Më tej në deklaratë theksohet se ruajtja e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe gjyqësore është shumë e rëndësishme për demokracinë e këtij vendi.

Pas kësaj deklarate, anëtarët e Forumit Civil kanë diskutuar mbi mënyrat që kërkohen për zgjidhjen e kësaj krize politike.

“Për vlefshmërinë e zgjedhjeve kemi pasur probleme. Ende në politikën shqiptare ekziston mendimi që ta marr pushtetin me cdo kusht dhe ta mbaj me cdo kusht. Kështu nuk është mirë. Për mua personalisht, pa zgjedhje të parakohshme ky vend nuk del nga kjo gjëndje. Politika është shkëputur nga populli, ajo shikon vetëm interesat e veta”, deklaroi ish-presidenti Alfred Moisiu.

Anëtarët e forumit kanë propozuar që faktorët politikë ta gjejnë zgjidhjen në një tryezë të inicuar nga presidenti, por jo të gjithë kanë patur besim tek ky hap.

“U zgjat problemi që presidenti mund ta zgjidhë. Unë mendoj se presidenti aktual nuk e zgjidh dot, pasi është injoruar nga shumica parlamentare më shumë se një herë. Ai nuk ka fuqi të ushtrojë kompetencat si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe si kryetar i KLD-së. Këta politikanë duhet të largohen të gjithë”, u shpreh Përparim Kabo.

Në fund të deklaratës, anëtarët e këtij forumi kanë kërkuar angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë për ndërmjetësim me synim zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Top Channel