
Kreu i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tij, gjatë demonstratës së 21 janarit përpara Kryeministrisë.
Ai ka akuzuar “klane okulte” brenda radhëve të policisë që kanë pasur synim trembjen e popullit për të mos protestuar.
“Urdhëri erdhi nga diku larg, disa metra më tutje: ‘Merreni merreni!’ Dhe që aty filloi të godiste kush të mundte më shumë. Kur kalova pas Kryeministrisë, jashtë syrit të kameras, isha i qartë se kushedi se çdo të bëhej me mua. Në një moment me ra të fikët dhe rash në tokë dhe më goditën edhe aty. Dëgjova zërin e Tonin Vocaj që më tha të mos kisha merak dhe i la porosi dikujt që të më shoqëronte në komisariat. Aty mendova se nuk do ushtronin më dhunë, por nuk ndodhi kështu. Më kanë rrahur barbarisht. Nuk kishte centimetër të trupit ku nuk isha i goditur. Vetëm në kokë janë 10 goditje. Mendoj se edhe brenda policisë ka segmente okulte që pas urdhërave të eprorëve të tyre, zbatojnë të tjera skenare për t’i thënë këtij populli se nuk ke guxim të kundërshtosh qeverisjen e Sali Berishës”, deklaroi Xibri.
“Edhe kur me çuan në spital, më kanë mbajtur me pranga në krevat. Ky ishte një skandal që uroj ta harroj sa më shpejt se është një ndjenjë që s’mund të bashkëjetosh dot”, theksoi Xibri.
“U bëj thirrje kolegëve të mi që të premten të jemi edhe ne në homazhet e atyre që janë dëshmorë të një demokracie që duhet të vijë sa më shpejt”, u shpreh Xibri.
Top Channel