
Kryesia e OSBE-së nxit dialogun politik, në bisedimet me kryetarin e qeverisë dhe atë të opozitës të Shqipërisë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Avaldas Ignataviçius, duke folur në emër të kryesisë lituane të OSBE-së, u bëri thirrje sot qeverisë dhe opozitës së Shqipërisë që të rifillojnë sa më shpejt dialogun politik konstruktiv dhe të heqin dorë nga organizimi i demonstratave në ditët e ardhshme, për të shmangur kështu rritjen e tensionit.
Në biseda telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, Ignataviçius tha se OSBE-ja ndjen keqardhje për humbjen e jetëve dhe plagosjet që ndodhën kur demonstrata politike e së premtes kaloi në dhunë.
Ai u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe theksoi nevojën për të hetuar ngjarjen dhe për t’i vënë autorët e dhunës përpara drejtësisë.
“Për të zgjidhur dallimet politike ekzistuese, janë të nevojshëm dialogu dhe dëshira për të bërë kompromis”, tha ai.
“Unë nxis partitë politike të Shqipërisë të angazhohen në dialog konstruktiv e përfshirës ndërpartiak në parlament si dhe në institucionet e tjera demokratike që ekzistojnë në vend”, u shpreh më tej ai.
“Retorika politike e ashpër në publik vetëm sa do të përkeqësonte gjendjen dhe duhet shmangur”.
Ignataviçius theksoi, gjithashtu, se ruajtja e rendit publik dhe shtetit të së drejtës është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.
Top Channel