
Faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave ka bërë publike detaje nga takimi mes kryeministrit Berisha dhe drejtorit ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, Miroslav Lajçak.
“Kryeministri Berisha i paraqiti zotit Lajçak një ekspoze të ngjarjeve që çuan në përpjekjen e dhunshme të 21 janarit dhe mbi pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me situatën. Duke shprehur falënderimin për mbështetjen dhe interesin për hetimin, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Lajçak se qeveria shqiptare mbështet një hetim të plotë, objektiv, profesional, e mbi të gjitha të paanshëm të ngjarjeve. Kryeministri siguroi gjithashtu për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend, përkarshi çdo tentative për shkeljen e tyre”, thuhet në deklaratë.
“Zoti Lajçak i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian duke theksuar së ajo e konsideron qeverinë Berisha si partner dhe qeveri legjitime të Shqipërisë si dhe vlerësoi si një akt përgjegjësie të lartë nga ana e kryeministrit vendimin për mos mbajtjen e manifestimit të ditës së shtunë duke theksuar se ky qëndrim duhet të ndiqet edhe nga opozita”, theksohet aty.
“Zoti Lajçak u shpreh se BE kërkon nga palët, shmangien e organizimit të protestave për të evituar përshkallëzimin e akteve të dhunshme kundër institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor. BE kërkon nga të gjitha palët rivendosjen e dialogut politik në Parlament për të vijuar ecjen përpara me axhendën e integrimit evropian veçanërisht atë të statusit të vendit kandidat dhe përqendrimin të gjitha energjive në përgatitjen për zgjedhjeve lokale të 8 Majit”, shkruhet në faqen e Këshillit të Ministrave.
Top Channel