
Që Shqipëria të funksionojë si një demokraci fuksionale, duhet që institucionet e pavarura, sidomos ato të ngarkuara me mbrojtjen e qytetarëve apo për zbatimin e ligjit, të fuksionojnë pa ndërhyrjen e askujt, qoftë nga qeveria, qoftë nga opozita.
Me këto fjalë e celi konferencën e tij për shtyp ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Duke iu referuar takimit të një dite më parë me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Arvizu tha se qeveria amerikane i përgjigjet pozitivisht kërkesës për ndihmë teknike në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.
Sipas tij, në ditët në vijim do të punohet sa më shpejt me prokurorinë për të përcaktuar modalitetet e këtij bashkëpunimi.
Por sipas ambasadorit amerikan, që hetimi të jetë i plotë dhe transparent, i pandikuar nga qëndrimet e palëve, cdokush të rezervohet të japë gjykimin e tij në publik apo në media, përpara se të dalin rezultatet e hetimit.
Ambasadori e cilësoi anulimin e tubimit të Partisë Demokratike si një veprim prej burri shteti prej kryeministrit Berisha.
Ndërkohë që tha megjithëse kishte kaluar rreth 100 minuta në zyrën e Edi Ramës një ditë më parë, dhe rreth 30 minuta zoti Rama i kishte kaluar në telefon me ndihmëssekretarin amerikan të shtetit Philip Gordon, Partia Socialiste nuk e kishte anuluar tubimin e saj për të premten.
E gjej jashtëzakonisht për të ardhur keq, u shpreh ambasadori amerikan, që zoti Rama nuk e ka anuluar mitingun për të premten dhe e inkurajoj fort që të konsiderojë anulimin e këtij mitingu.
Sipas ambsadorit Arvizu, ambasada apo qeveria amerikane nuk mban anën e asnjë partie politike, por është në anën e popullit shqiptar.
I pyetur nga Top Channel nëse zgjedhjet e parakohshme janë një opsion për të arritur kompromisin politik, ambasadori Arvizu u përgjigj se kjo është një gjë që u takon partive për ta vendosur. Por nëse ekziston mekanizmi kushtetues dhe palët bien dakort, pse jo?
Top Channel