
Gjashtë deputetë demokratë, të ngarkuar nga Kuvendi për të hetuar veprimtarinë e insitucioneve gjatë protestës së 21 janarit kanë miratuar konstituimin e komisionit hetimor dhe kanë miratuar planin paraprak të punës.
Ky plan përfshin, veç të tjerash, edhe thirrjen së shpejti në seancë dëgjimore të drejtuesve më të lartë të pothuajse të gjitha institucioneve kushtetuese dhe drejtuesve kryesorë politikë, kryeministrit, kryetares së Kuvendit, prokurores së përgjithshme, drejtorit të Shërbimit Informativ si dhe të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Qëllimin e thirrjes së tyre e shpjegoi kryetari demokrat i komisioni hetimor, Eduard Halimi.
“Kjo është një punë voluminoze dhe ne duhet ta bëjmë atë sipas përcaktimeve të qarta në Kushtetutë dhe ligjit për komisionet hetimore, për të identifikuar qartazi përmbushjen e detyrës shtetërore apo mospërmbushjen e kësaj detyre, për të filtruar dhe identifikuar faktet nxitës apo pengues nga faktorët subjektivë apo korruptues”, është shprehur Halimi.
Në mbledhjen e komisionit hetimor munguan pesë përfaqësuesit e opozitës, e cila i ka lënë bosh emrat e saj, pasi kreu i opozitës Edi Rama, e ka cilësuar atë një gjë pa vlerë, në shërbim të kryeministrit Berisha.
Megjithatë kryetari i komisionit ftoi anëtarët e opozitës, të bëhen pjesë e këtij hetimi parlamentar, jo vetëm si një detyrim që buron nga Kushtetuta, por edhe për atë që ai e quajti shenjë pendese për atë që bënë më 21 janar.
Top Channel