
Të mërkurën në mëngjes, në Tiranë, mbërrin i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak. Lajmi konfirmohet nga zyra e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton.
Kryediplomatja europiane mësohet se ka biseduar gjatë ditës me telefon si me kryeministrin Sali Berisha ashtu dhe me udhëheqësin e socialistëve, Edi Rama, përpara se të urdhëronte drejtorin menaxhues për Rusinë, Lindjen e Ballkanin, pozicion të cilin Lajçak e fitoi pak javë më parë falë shërbimit të ri diplomatik të Bashkimit Europian.
Diplomati sllovak vjen në Tiranë me qëllimin për një angazhim konstant në përpjekje për pajtim mes palëve, në mënyrë që Shqipëria të vijojë reformat për integrimin europian.
Miloslav Lajçak është 48 vjeç, në 2006-n ka qenë mbikëqyrësi i BE-së për referendumin e pavarësisë në Mal të Zi, ndërsa në 2007-n, ai ishte i dërguari i posaçëm i BE-së në Bosnje-Hercegovinë.
Lajçak pritet të takohet me shefin e opozitës Edi Rama, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryeministrin Sali Berisha, i cili mësohet se ka anuluar dhe vizitën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku pritej të raportonte këtë javë mbi Shqipërinë.
Përgatiti Arta Tozaj
Top Channel