
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Bashkimit Europian dhe OSBE-së kanë qenë për rreth dy orë në Selinë e Partisë Socialiste ku janë takuar me kreun e socialistëve, Edi Rama. (UPDATE)
Në qendër të bisedimeve kanë qenë ngjarjet më të fundit që cuan në vdekjen e tre demonstruesve para selisë së kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ambasadorët, nga sa mësohet kanë kërkuar informacion dhe kanë pyetur lidhur me rrugët e zgjidhjes së krizës, janë shprehur për një hetim të plotë dhe kanë mbështetur prokurorinë për hetimin.
Kreu i PS Rama i ka bërë diplomatëve një rezyme të situatës aktuale politike, duke deklaruar se manifestuesit u provokuan dhe nuk kanë patur synim të hyjnë në kryeministri.
Rama ka dënuar dhunën e policisë ndaj njerëzve të pajisur vetëm me cadra e pankarta, dhe ka nënvizuar faktin se tre persona janë vrarë në bulevard nga Garda e Republikës.
Të shtunën dhe të dielën ambasadorët patën zhvilluar takime edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha.
Top Channel