
Kur askush në Policinë e Shtetit nuk i përfilli gjashtë urdhërarrestet e saj për drejtues të gardës deri tek oficerë të nivelit zbatues, prokurorët e gjejnë vetë zgjidhjen që në fakt nuk parashikohet se sa efektive do të jetë.
Burime të besueshme të TCH thanë se prokurorët kanë dërguar këtë të dielë në dhomën penale të Tiranës gjashtë kërkesat për vleftësimin e arresteve dhe caktim të masës së sigurisë në mungesë për gjashtë gardistët e dyshuar nga Prokuroria për vrasje, shpërdorim detyre dhe tejkalim kompetencash.
Zyrtarisht Prokuroria nuk jep asnjë nga emrat e të dyshuarve të saj, pavarësisht se burime jo zyrtare flasin për drejtues të gardës të nivelit të lartë dhe shefa përgjegjës gjatë demonstratës deri tek ushtarë që televizionet shfaqën në pamjet filmike duke qëlluar.
Pritet që të hënën dhoma penale e Tiranës të vlerësojë masat e sigurisë në mungesë dhe të vleftësojë urdhër-arrestet për të dyshuarit e organit të akuzës, që nëse do të pranohen janë të detyrueshme të zbatohen nga Policia e Shtetit.
Top Channel