PD: Rama përgjegjës

22/01/2011 20:30

Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen e djeshme duke akuzuar direkt kryetarin socialist Edi Rama për ngjarjet e ndodhura gjatë demonstratës.

“Dje u vranë disa shqiptarë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, pas një zinxhiri dhune të pashembullt, të orkestruar dhe drejtuar nga një dirigjent i vetëm, nga Edi Rama. Qytetarët shqiptarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike, nuk janë në armiqësi me njëri-tjetrin dhe as me shtetin e tyre. Ajo nuk ishte shfaqja e stadit të zhvillimit të një vendi demokratik, anëtar të NATO-s, por është thjeshtë dhe vetëm kriza morale dhe psikologjike, denatyrimi dhe tërbimi i një njeriu të vetëm, i cili do të bëhet me çdo çmim kryeministër. Dhe pikërisht për këtë arsye skena e atij filmi horror ishte vendosur e gjitha përballë godinës së qeverisë”, është shprehur Patozi.

“Për ne jeta e çdo shqiptari është shumë e çmuar, humbja e tre jetëve është shumë e rëndë dhe unë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të atyre që u vranë dje për llogari të Edi Ramës. Është ai përgjegjësi, që për ditë të tëra aktivizoi me para të pista dhe premtime mafioze falanga të krimit të organizuar për të ngritur dorën e dhunshme kundër shtetit. Ajo është e atij burracaku që dje për orë të tëra fshehu dorën e krimit, duke i lënë njerëzit në mëshirën e plumbave, bombave, gurëve dhe hunjve, në një skenar tërësisht të kontrolluar prej tij. Është në nderin dhe detyrën e çdo deputeti dhe përfaqësuesi tjetër politik që të distancohet nga dhuna dhe nga rruga revolucionare e marrjes së pushtetit. Ne na kanë përballë, për t’i mundur në çdo rast. Dhe këtë do ta bëjmë vetëm përmes votës. Por ta harrojë ai që mendon se mund të na largojë ndryshe”, tha Patozi.

Edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama për ngjarjen dhe ka kërkuar vënien përpara ligjit të tij.

“Ajo që ndodhi dje ishtë përpjekje e qartë për marrjen e pushtetit me dhunë, qëllim përpara të cilit, sikusre deklaruan dje prostitutat politike që nuk kanë lënë gardh partie pa thyer, janë të gatshëm të vrasin 13 mijë njerëz, të përdorin si mish për top socialistët dhe qytetarët e këtij vendi. Ajo që ndodhi dje, ishte shfaqja kriminale e qenit të tërbuar që po kërkon të kafshojë Shqipërinë dhe që po kërcënon qytetarët e saj me skenarin e ’97. Me kontigjente kriminelësh që pas Kryeministrisë u vërsulën nëpër dyqane. Falenderoj policinë që mbrojti institucionet dhe qytetarët e Tiranës”, tha Olldashi.

“Ne presim sot që institucionet e drejtësisë të veprojnë me gjithë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe qytetare për të vënë përpara ligjit ata që mobilizuan një grup keqbërësish ordinerë, për ta vënë në shërbim të politikës ordinere. Ne presim vënien përpara ligjit të Edi Ramës dhe eksponentëve të tjerë që sulmuan dje me molotovë thirrjesh për gjak institucionet e shtetit. Ne presim sot që institucionet e drejtësisë të venë përpara drejtësisë ata që kërkojnë publikisht vrasjën e mijëra njerëzve në emër të pushtetit të tyre”, theksoi ai.

Top Channel