Kryetari i PS-së, Edi Rama ka shprehur ngushëllimin e tij për viktimat e demonstratës së sotme përpara Kryeministrisë. Ai ka theksuar se opozita do të qëndrojë e vendosur deri në ndërgjegjësimin e qeverisë, që rruga e vetme për zgjidhjen e krizës është ajo politike.
“Shpreh trishtimin e thellë për humbjen e tre jetëve të pafajshme për shkak të një pushteti të kalbur dhe të verbuar nga ethet për të qëndruar me çdo mjet në këmbë. Shqipëria mbarë po e shesh sjelljen barbare të forcave policore që pas përpjekjeve intensive për të qetësuar situatën, u lëshuan mbi ata që qetësisht po largoheshin, duke mësyrë deri në ambjente private përpara godinës së atij kryeministri që ka lyer dyert me gjak të pafajshëm”, është shprehur Rama.
“Nuk dua që me tonet e kësaj revolte të brendshme të nxis askënd në një drejtim ku Shqipëria nuk duhet të hyjë, por dua t’u them të gjithë shqiptarëve se sot, tani, në çdo minutë, ajo që po shfaqet katërcipërisht para syve të mbarë opinionit publik është natyra e vërtetë e këtij pushteti që duhet të largohet”, theksoi Rama.
“Keqpërdorimi deri në ekstrem i forcës policore të shtetit që për një rrogë mizerabël sakrifikojnë ditën dhe natën në krye të detyrës, është një kreqpqërdorim i pafalshëm dhe mënyra sesi u promovua një demonstratë paqësore dhe si u goditën demonstrues të cilët kishin vetëm pankarta në dorë. Është mënyra me të cilën Saliu, koalicioni i turpit, na tregoi as më shumë e as më pak, drejtësinë e rrugës sonë, betejës sonë e gjithë kësaj rruge që sot kulmoi me një demonstratë të kthyer në tragjedi nga një pushtet i rrëzuar moralisht, i kalbur deri në palcë”, tha Rama.
“Nga ana tjetër ndjej detyrimin për të mos ulur përpjekjet për një qeverisje të re për çdo shqiptarë, në mënyrë që kushdo të ketë lirinë dhe të drejtën të jetojë në këtë vend si i barabartë para ligjit dhe jo të sundohet me forcën e ligjit, duke shkaktuar deri në humbje jetësh të pafajshme. U bëj apel të gjithë organeve të drejtësisë të vihen në lëvizje për të bërë ekspertizat profesionale për ato krime të ndodhura sot që janë krime shtetërore, që nuk mund të mbulohen dhe treten me deklarata të papërgjegjshme, nëse Saliu, qeveria nuk do të ndërgjegjësohen se është koha për zgjidhje dhe qetësuar popullin shqiptar, duke kthyer politikën si mjet për zgjidhjen e problemeve”, pohoi Rama.
“Duke shprehur ngushëllimet e mia për familjet që sot humbën të dashurit e tyre, të nisur në një demonstratë për liri dhe të drejta që në Shqipërinë e sotme duhet të ishin të garantuara, unë i siguroj të gjithë se ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë akoma më të vendosur dhe të bindur se zgjidhja është e qartë: ose një Shqipëri e lirë për të gjithë, ose një popull i nënshtruar nga pushteti i barbarizuar deri në pikën që na tregoi sot me sjelljen e vetë”, përfundoi Rama.
Top Channel