Librazhd, rrihet për politikë 34-vjecari

21/01/2011 12:30

Një 34-vjecar nga fshati Skorskë i komunës Qukës në Librazhd është dhunuar fizikisht dhe ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital.

Ngjarja ka ndodhur pas një debati politik me kryeplakun e fshatit, në prani edhe të deputetit Rrahim Cota. I dhunari, shtetasi Dritan Onuzi, akuzon edhe deputetin për dhunën.

“Më rrahën kot, për partinë politike. Më rrahën Cota dhe kryeplaku i fshatit. Më qëlloi me levë dhe më përplasi me betonin”, tregon Onuzi.

Edhe dëshmitarët tregojnë se kush ishin personat që dhunuan fizikisht 34-vjecarin.

“Ne po luanim bilardo dhe filluan ata me politikë. Kryeplaku i fshatit i tha Dritanit, “ik ore socialist”. Pastaj e përplasi në tokë dhe kapi shishen për ta goditur. Pastaj ndërhyri deputeti që tha: “s’ka shans të më rrahë mua njeri, ju jeni njerëz të qelbur”. Vetë deputeti ushtroi dhunë”, tregon Kastriot Cela, dëshmitar i ngjarjes.

Vëllai i të dhunuarit, Dilaver Onuzi  shprehet se organet kompetente janë vonuar në ushtrimin e kompetencave të  tyre.

“Kryetari i fshatit, i zgjedhur nga populli, bëhet pjesë e këtij incidenti, qëllon e godet. Ai nuk mund të jetë më kryeplak”, thotë Onuzi.

Menjëherë pas ngjarjes Onuzi është dërguar në Spitalin e Librazhdit, ku ka marrë edhe ndihmën nga ana e mjekëve. Mësohet se 34-vjecari ka pësuar dëmtime serioze në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA