Episode dhune në protestën e opozitës kundër qeverisë në Tiranë, shkruan Kathimerini.
Protestuesit janë përleshur me policinë jashtë ndërtesës së Kryeministrisë .Cdo gjë ka filluar kur një grup demonstruesish ka filluar të qëllojë me gurë kundër policëve të cilët janë përgjigjur me bomba me gaz lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë turmën.
Sipas gazetës, opozita i qëndron kërkesës së saj për zgjedhje të parakohshme duke akuzuar qeverinë Berisha për korrupsion.
Në artikull sqarohen deklaratat e kryeministrit Berisha që tha dje se në rast të shfaqjes së elementëve kriminalë të cilët do të kryejnë akte të paligjshme do të marrë masat e duhura.
Ndërsa sipas opozitës gjendja dramatike e vendit është shkaku i kësaj proteste. Sipas udhëheqësit të kësaj opozite, Edi Rama, Shqipëria po përshkon një periudhë dramatike ku institucionet janë shembur, sidomos ato të zgjedhjeve dhe të drejtësisë.
“Ditë të 97-tës po përjeton Shqipëria.”
Ky është titulli i një prej artikujve të websaitit grek NEWSIT që përshkruan se në Shqipërinë fqinje mbizotëron një situtatë e tensionuar.
Protestat kanë shpërthyer, shkruhet në artikull, pas skandaleve të fundit.
Më pas, bëhet fjalë për deklaratat e udhëheqësit të opozitës se “nuk do të ketë flamuj apo pankarta në duart e demonstruesve, por do të kërkojmë zgjedhje të parakohshme që të ikë kjo qeveri e korruptuar”.
Apo edhe deklarata e udhëheqësit të qeverisë Sali Berisha se “nuk do të hap rrugën për pushtet socialistëve dhe se pushteti nuk fitohet me dhunë”.
Sipas burimeve qeveritare, përfundon saiti, ekzistojnë grupe të udhëhequra nga opozita që duan të krijojnë incidente.
Top Channel