Tre persona humbën jetën të vrarë me armë zjarri, gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë. (UPDATE)
Shefi i Urgjencës së Spitalit Ushtarak, njoftoi se fillimisht kanë mbërritur në spital dy persona pa jetë, të identifikuar si Viver Veizi, 43 vjeç nga Gjirokastra dhe viktima e dytë, Hekuran Deda nga Dibra.
Personi i tretë që humbi jetën në spital është ende i paidentifikuar. Sipas burimeve spitalore, ai është qëlluar me snajper.
Ndërkohë që numri i të plagosurëve është disa dhjetra persona.
Në gjendje më të rëndë ndodhen 22 persona me trauma të ndryshme në trup.
Ndërkohë që burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme konfirmuan se, nga përdorimi i gurëve dhe sendeve të forta, janë plagosur 10 efektiva të policisë, ndërsa më shumë se 100 të tjerë janë të plagosur.
Pesë prokurorë të Tiranës, kanë nisur hetimet e tyre dhe fillimisht kanë marrë në pyetje të gjithë të shoqëruarit në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Prokurorët nuk kanë bërë të ditur ende asgjë zyrtarisht, ndërkohë që ekzaminimi i parë mjekësor, ka bërë të ditur se dy prej të vdekurve janë qëlluar me armë të kalibrit të vogël, pistoletë, ndërsa një prej tyre ka marrë plagë me armë zjarri në kokë.
Gjithçka do të zbardhet pasi të kryehet edhe autopsia e viktimave.
Top Channel