Shefi i delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të mobilizohet dhe të punojë ngushtë në mënyrë që të afrojë vendin me Bashkimin Evropian.
Gjatë një seminari për paraqitjen e prioriteteve të presidencës së re të BE-së, Sequi ka deklaruar se Unioni është i interesuar për zgjerimin e tij me vendet e Ballkanit.
“Besoj se klasa politike shqiptare do të bëjë një reflektim serioz mbi 12 prioritetet kyce. Kam besim se Shqipëria do të mobilizojë energjitë e saj për t’iu bashkuar BE-së. Ka sfida të mëdha, si reforma zgjedhore dhe konsensusi për reformat e tjera që nevojiten aq shumë”, ka deklaruar Sequi.
Më tej diplomati evropian ka vlerësuar si të një rëndësie të vecantë heqjen e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të zonës Schengen.
“Unë kam qenë në Shqipëri edhe më parë dhe e di se sa e rëndësishme ka qenë lëvizja e lirë për qytetarët shqiptarë”, ka pohuar Sequi.
I pyetur nga mediat mbi demonstratën e opozitës, diplomati evropian është shpreur pro reagimit në formë paqësore dhe kundër reagimit në formë të dhunshme.
“Dalja në protestë është e drejtë e popullit dhe e partive politike. Për këtë arsye unë besoj se si pjesëmarrësit ashtu edhe forcat politike do të tregojnë pjekurinë e tyre. Por nuk jam dakord me protesta jo paqësore”, është shprehur Sequi.
Ai ka shprehur bindjen e tij se policia shqiptare ka aftësitë e duhura që të merret me këtë situatë me përgjegjësinë e duhur. “Unë jam një njeri që kam besim”, ka shtuar Sequi.
Top Channel