
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami shpalosi para mediave punën e forcave të armatosura gjatë vitit që lamë pas, si dhe objektivat për vitin 2011.
Në krye të listës qendronte padyshim përballimi i dy emergjencave nga ushtria pas përmbytjeve në Shkoder në janar dhe në fund të 2010-ës.
Nga ana tjetër, sipas Imamit, nga demontimi i municioneve janë asgjesuar 20 mijë e 643 tonë municione dhe lëndë plasëse në total.
Imami theksoi se 2011-a do jetë viti i pastrimit përfundimtar të depove. “Ne nuk kemi rrezik të shtuar. Municionet e rrezikshme janë zhdukur dhe depot që kanë qenë pranë zonave të banuara nuk ekzistojnë më. 2011-a do jetë viti i pastrimit të materialeve të tepërta”, deklaroi Imami.
Ministri i Mbrojtjes i kujtoi medias rritjen nga viti në vit të misioneve paqeruajtëse jashtë vendit, që aktualisht numëron 305 ushtarakë me shërbim jashtë vendit.
Por Imami njoftoi shtimin e forcave ushtarake në Afganistan. “Edhe këtë vit ne do shtojmë prezencën tonë, deri në 350 ushtarë. Do shtohen oficerë shtabesh, por ajo që është e rëndësishme është se do shtohen dy njësi”, tha Imami.
Imami i konsideroi si pasuri kombëtare dy projektet, së pari kontraktimin e prodhimit të 5 helikopterëve multifunksionalë dhe së dyti ndërtimin në Pashaliman të anijeve patrulluese në bashkëpunim me Holandën.
Top Channel