
Kryetari i PS, Edi Rama duke komentuar kthimin e opozitës në protestë pas një periudhe relativisht të gjatë, ka deklaruar se synimi i saj është mbrojtja e të drejtave që sipas tij shkelen nga qeveria.
“Fakti që ne bëjmë të njëjtën gjë pas dy vjetësh do të thotë se ne këmbëngulim për të drejtën tonë, duke parë që të drejtat e tjera kanë humbur. Ne nuk jemi një lëvizje e armatosur, ne këmbëngulim për ato liri dhe të drejta në të cilat besojmë”, ka pohuar Rama.
Sipas tij, nuk është protesta e opozitës ajo që mund të provokojë shqiptarët, por sjellja e qeverisë që tallet në mënyrë të turpshme me ta edhe pas publikimit të videos që vërteton matrapazllëqet.
“Popullin e provokon Saliu dhe qeveria. Ai provokon të atilla kushte kur populli mund të reagojë dhe të dalë jashtë kontrollit dhe jo opozita. Po mohohet sy për sy një fakt konkret që e pa gjithë populli. Nëse videoja është montazh dhe nëse i ashtuquajturi kryeministër dhe zëvendësi i tij mendojnë se është montazh nuk do të kishte dorëheqje, por do reagohej me mënyrën më të ashpër kundër tij. Por e dha dorëheqjen sepse e di fare mirë që është e vërtetë”, është shprehur Rama.
Ai ka rikonfirmuar edhe njëherë se demonstrata e nesërme nuk ka qëllime politike, por vetëm qytetare.
Top Channel