
Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se ka qenë në dijeni të nismës së ish-ministrit të METE Dritan Prifti për të denoncuar Ilir Metën, ndonëse jo me detaje përse bëhej fjalë.
Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Rama ka bërë të ditur se ka qenë vetë Prifti që ia ka komunikuar atij nismën gjatë një takimi kokë më kokë.
“Prifti ka kërkuar para pak kohësh një takim me mua dhe kreun e grupit parlamentar socialist ku na ka informuar për, sipas tij, arsyet përse nuk e shihte më veten në kampin e qeverisë dhe njëkohësisht për vullnetin që të nisë një betejë për të bërë transparente atë cka ai na tha se dispononte, pa na dhënë detaje”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, ish-ministri Prifti, pavarësisht se ishte i vendosur për të bërë betejën e tij, druhej për sigurinë e tij dhe të familjes.
“Ai na e tha këtë duke na vënë në dukje vendosmërinë në një betejë që e konsideronte shumë të rrezikshme për familjen dhe sigurinë e jetës së tij”, është shprehur Rama.
Ai ka shtuar më tej se nga ana e tij e ka inkurajuar Priftin të ecte përpara me mjetet e tij, duke i ofruar mbështetjen e Partisë Socialiste.
“Ne e kemi dëgjuar dhe e kemi inkurajuar duke i shprehur mbështetje për një betejë të tillë, në rast se ato që na thoshte ishin të vërteta”, ka pohuar Rama.
Sipas tij, sulmet e mëparshme politike të bëra nga ai ndaj Priftit dhe anasjelltas nuk kanë më rëndësi. “Sulmet politike të mëparshme për mua s’kanë asnjë lloj rëndësie dhe jemi para një fakti të një procesi të iniciuar nga Dritan Prifti, i cili meriton përgëzim”, ka shtuar Rama.
Top Channel