
Opozita ka vijuar thirrjet ndaj shqiptarëve të majtë e të djathtë që t’i bashkohen më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” demonstratës e cila sipas krerëve të saj, ka për synim largimin e qeverisë së korruptuar të drejtuar nga kryeministri Berisha.
“Sot iu bëjmë thirrje që ta kthejmë 21 janarin në datën e thirrjes popullore, që kjo qeveri të largohet. 21 janari nuk është dita e demonstratës së socialistëve, por e shqiptarëve”, ka deklaruar deputeti socialist Saimir Tahiri.
Jo më pak të ashpër në akuzat e tyre kanë qenë edhe krerët e tjerë të opozitës. “Si asnjëherë tjetër të bashkohemi më 21 janar për demokraci funksionale dhe për votë të lirë”, ka deklaruar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Nga selia e opozitës, kreu i PSV91, Petro Koci ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund krizës politike që mban të mbërthyer vendin që pas 28 qershorit.
“Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme dhe pse jo që të bashkohen zgjedhjet lokale me ato parlamentare. Qeveria është e kapur nga korrupsioni dhe Parlamenti është institucioni ku bllokohet lufta e drejtësisë kundër korrupsionit”, është shprehur Koci.
E njëjtë ka qenë thirrja drejtuar shqiptarëve edhe nga kryetari i Demokracisë Sociale, Paskal Milo. “Ka ardhur ora e reagimit mbarëpopullor nëse kjo qeveri s’e kupton që i ka ardhur ora për t’u larguar”, ka thënë ai.
Top Channel