Celularët, gati formula e re e taksave

19/01/2011 16:00

Një javë pas deklaratave të kryeministrit, për rritje të taksave në disa sektorë të ekonomisë, që sipas tij kanë cmime të larta, Ministria e Financave ka bërë gati draftin e parë, atë që rrit tatimin mbi fitimin për kompanitë celulare.

Top Channel ka mësuar se projektligji parashikon rritje të përshkallazuar të tatimit mbi fitimin, norma e të cilit do të variojë nga 15 deri në 20 për qind, nga 10 për qind që është aktualisht me taksën e sheshtë.

Burime konfidenciale thanë për Top Channel se parimi i projektligjit që do shkojë shumë shpejt në qeveri është taksim më i lartë për ato kompani që sipas Financave ngarkojnë konsumatorët me tarifat më të larta.

Për të bërë këto përllogaritje ekspertët e financave janë bazuar tek raporti vjetor i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike.

Burimet thanë për Top Channel se deri tani është bërë gati vetëm drafti që rrit tatimin mbi kompanitë celulare, por shumë shpejt do të ketë një tjetër draft, që rrit taksat edhe për bankat, edhe këto të akuzuara nga kryeministri për abuzime me tarifat dhe komisionet.

Ende nuk është vendosur se cfarë takse do të propozohet për bankat. A do të ketë një taksë fikse, apo edhe kjo si në rastin e celularëve do të jetë rritje e përshkallëzuar e tatimit mbi fitmin.

Tre vjet më parë qeveria unifikoi tatimin mbi fitimin për të gjithë sektorët e ekonomisë në masën 10 për qind, sipas taksës së sheshtë.

Ky i celularëve është projektligji i parë, i cili rrëzon parimin e taksës së sheshtë dhe kthen sistemin e përshkallëzuar të taksimit në ekonomi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta