Meta: Përgjimi kriminal do të zbardhet

18/01/2011 11:20

Kryetari i LSI, Ilir Meta ka sulmuar sërish opozitën se ka montuar videon mes tij dhe Dritan Priftit me qëllim për ta shantazhuar.

“Përgjimi është vetëm një provokim ndaj meje dhe kjo do të vërtetohet nga drejtësia”, ka deklaruar Meta në një konferencë për shtyp.

Meta ka treguar disa dokumente, që sipas tij tregojnë ndërhyrjen e ish-ministrit Prifti në vendimet e Gjykatës së Apelit.

Ndërsa përsa i përket Gjykatës së Lartë, Meta është shprehur se me përmendjen e saj Prifti vetëm sa e ka provokuar atë.

Ish-numri dy i qeverisë ka shtuar më tej se këto dokumenta provojnë qëndrimin e tij konform ligjit dhe montimin e videos për shantazhe.

“Të gjitha këto tregojnë se biseda jo vetëm është një montazh, por se është një provokim i qëllimshëm për të mbledhur materiale për t’i bërë shantazh kreut të LSI-së. Kjo tregon se ndërhyrja ime ka qenë për zbatimin e ligjit. E gjithë kjo histori është fund e krye jo vetëm një përgjim i paligjshëm e kriminal, por edhe një montazh i rëndomtë që tregon se ku e ka mbështetur alternativën zero opozita. Tek provokimet”, ka deklaruar Meta.

Top Channel