Bllokimi i qendrës, devijon trafiku

17/01/2011 16:20

Skema e re e qarkullimit të automjeteve nuk do të shkaktojë kaos nëse respektohen rregullat e qarkullimit, vendparkimet e përcaktuara dhe bashkëpunon policia rrugore.

Sipas skemës së re, nuk lejohen më që automjetet të vijne nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt qendrës, por ato shpërndahen në dy unazat, ku në segmente të caktuara është hequr parkimi në njërën anë.

Për momentin automjetet që vijnë nga selia e PS lejohet të qarkullojnë ende në qendër, por nuk lejohet të kthehen djathtas në krah të xhamisë, pasi devijohen pak më përpara në rrugën “Abdi Toptani”.

“Gjatë kësaj jave jemi të fokusuar për të devijuar trafikun nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” tek “Bajram Curri”, si dhe për devijimin e automjeteve që vinin nga xhamia tek rruga “Abdi Toptani”. Situata deri tani ka qenë normale”, ka deklaruar shefi i sektorit të transporteve në bashki, Enton Punavia.

Ndërkohë, në mesin e javës ose në fillim të javës tjetër, në varësi të punimeve, nuk do të lejohet që automjetet që vijnë nga rruga e Durrësit, apo e Kavajës të futen para PS për në qendër, pasi ato do të vazhdojnë drejt, ndërkohë që do të lejohen vetëm autobusët.

Por në këtë moment do të lirohet qarkullimi për automjetet që vijnë nga rruge e Dibrës drejt 15-katëshit e në vazhdim në rrugën e Durrësit.

Drejtuesit e bashkisë thonë se devijimi i qarkullimit po kryhet gradualisht derisa drejtuesit të mësohen me orientimin e ri. Madje, sipas tyre, sot është vënë re lehtësi në trafik pasi ka pasur një mirëmenaxhim të tij.

Top Channel