
Duke e cilësuar videon si një manipulim të kryer nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, kreu i LSI-së Ilir Meta theksoi se do t’i shkojë deri në fund betejës ligjore jo vetëm ndaj ish ministrit dhe ish mikut të tij, siç e quajti Dritan Priftin, por edhe ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, kërkojnë të bëjnë shantazhe antiligjore. (UPDATE)
“Betejën ligjore do ta fitoj përballë montazhit të krimit të organizuar të çimkës, të kryeçimkës dhe gjithë kësaj bande që synon të marrë peng institucionet dhe shtetin në vendin tonë”, tha Meta.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se PS-ja duhet të heqë dorë nga tentativa për të marrë pushtetin përmes shantazheve dhe dhunës.
“Unë do t’i them zotit Rama që të heqë dorë nga shantazhet, nga pesionet, nga kërcënimet fizike, nga thirrjet që i bën mafies për t’u bashkuar në aktivitete kundër shtetit, sepse nëse ka njeri frikacak në këtë vend, i pari është Edi Rama dhe unë këtë e di më mirë se cilido tjetër. Shqiptarët nuk mund të lejojnë një bandë të marrë pushtetin me dhunë”, theksoi Meta.
Me tone të ashpra zoti Meta paralajmëroi rrezikun e mundshëm, sipas tij, nëse politika e çimkave do të vinte në një të ardhme në pushtet.
“Mendoni ju sikur ky të jetë kryeministër, se çfarë mund t’ju bëjë qytetarëve shqiptarë, se ç’mund t’u bëjë njerëzve që do të drejtojnë institucionet në këtë vend, se ç’mund t’u bëjë biznesmenëve shqiptarë. Ky kaq kaq ka në dorë dhe shikoni se çfarë bën”, deklaroi Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim e vuri theksin tek fakti që zgjedhjet vendore do t’i rikthejnë më në fund kryeqytetin, siç tha ai, qytetarëve duke ja hequr nga duart mafias.
Top Channel