Ligji i ri i shumëdiskutueshëm i mediave në Hungari ka nxjerrë me mijëra vetë në protestë përpara ndertesës së Parlamentit në Budapest.
Demonstruesit kërkojnë tërheqjen e legjislacionit të kritikuar edhe nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian.
Gjermania, Britania dhe Franca ishin ndër ato shtete që shprehen haptazi shqetësimin për ligjin e ri mbikëqyrës të shtypit të shkruar, medias elektronike dhe publikimeve online, i cili lejon njëkohësisht vendosjen e gjobave marramendëse, nëse lajmet nuk janë të balancuara.
Qeveria hungareze e qendrës së djathtë i hodhi poshtë kritikat me pretendimin se legjislacioni është konform të gjitha normave europiane, ndonëse la të hapur mundësinë për ndryshime.
Por protestuesit këmbëngulin se ligji është tepër i paqartë, ndërsa sfera e tij e veprimit shumë e gjerë.
“Qeveria aktuale e Hungarisë ka bërë dhe gjera të tjera me të cilat ka kapërcyer çdo limit, por ligji i mediave është më i keqi nga të gjitha”, shprehet një protestues.
“Ky ligj i detyron punonjësit e medias të çensurojnë veten nga frika e ndëshkimit që mund të marrin, nga frika e gjobave që do të detyrohen të paguajnë nëse nuk thonë atë që duhet”, thekson një tjetër.
Thirrjet për protestën u përcollën të premten nëpërmjet FB-së dhe mbi 6 mijë vete e konfirmuan pjesëmarrjen e tyre, po në të njëjtën mënyrë.
Komisioni Evropian po verifikon aktualisht nese ligji i miratuar në fund të dhjetorit nga parlamenti i vendit që mban presidencën e radhës së BE-së, është në përputhje me të drejtën europiane.
Top Channel