Duke e cilësuar qeverinë aktuale si kabinetin e korrupsionit dhe skandaleve, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i kërkoi kryeministrit Berisha dorëheqjen për t’i hapur rrugë siç tha ai, rikthimit të lirisë në vend. (UPDATE)
Lideri i opozitës, gjatë fjalës së tij të gjatë në asamblenë kombëtare paralajmëroi publikimin e një tjetër skandali që lidh kryeministrin me biznesmenin Damir Fazlliç.
Me këtë rast zoti Rama i adresoi këtë herë vetë një pyetje kryeministrit Berisha.
“A ka fituar ai drejtpërdrejt dhe nëse jo, a është ai në dijeni për ndonjë anëtar të familjes së tij, që ka fituar para të thata në dorë në kurriz të shqiptarëve nga kjo miqësi? Sqaroj se nuk bëhet fjalë për shërbime avokatie, të mos më keqkuptojë i ashtuquajtur kryeministër i koalicionit të integrimit dhe sa të mos ngutet të mbiprodhojë baltë për të mbuluar ndonjë të vërtetë shqetësuese lidhur me sa e pyeta. E siguroj se nuk është truk, nuk është montazh, nuk është as komplot vizual, është thjesht një pyetje në kuadrin e proçesit të transparencës”, tha Rama.
Ai theksoi se Partia Socialiste nuk do të tërhiqet në publikimin e skandaleve ku është përfshirë qeveria aktuale pavarësisht baltës siç tha ai që prodhon makineria e saj.
“Transparenca e keqqeverisjes, as nuk mbyllet duke djegur fletët e votimit dhe as duke burgosur materiale zgjedhore me duart e një xhelepi të KQZ-së, as nuk zbrapset nga një surugato e KPD-së famëkeqe dhe vete me një nanorural që më një fuoristradë të tipit të fundit, i jep një kali imagjinar të fëmijërisë. As nuk ndalet duke ndërsyer çdo ditë kundër opozitës, tërë zollorinë e ministrave famkëqinj dhe deputetëve fatkeq, bashkë me frok-ballinj ekranesh dhe gazetash që e shesin veten sa frangaj pulën me lekët e bllokut të qeverisë së tij”, deklaroi Rama.
Në këtë situatë të cilën Rama e quajti të papranueshme, ai ftoi shqiptarët që më 21 janar të derdhen në një protestë të madhe kundër keqqeverisjes.
Një demostratë që sipas Ramës, do të mbledhë jo vetëm qytetarë socialistë në opozitë me demokratët por të gjithë ata që janë në opozitë për arsye të ndryshme në jetën e përditshme të tyre.
“Në opozitë me talljen, në opozitë me poshtrimin, në opozitë me të gjitha ato arsye që i mungojnë për t’u quajtur njeri i lirë në shtëpinë e tij, në rrugën drejt punës apo në rrugën ku kërkon punë”, theksoi Rama.
Top Channel