Komisioni Europian ka bërë një tjetër reagim në lidhje me videon-skandal të transmetuar nga “Fiks fare”, duke theksuar se hetimi duhet të bëhet pa asnjë pengesë.
Zëdhënësja e KE-së për Zgjerimin, Natasha Butler ka theksuar se duhet
të ndëshkohen të gjithë personat që do të shpallen fajtor nga
drejtësia.
Butler: Ne mbajmë shënim vendimin e kryeministrit Berisha për të pranuar dorëheqjen e parevokueshme të z. Meta si zëvendëskryeministër. Z. Meta dërgoi gjithashtu një letër ndaj kryetares së parlamentit duke njoftuar se heq dorë nga imuniteti i tij si deputet. Komisioni mirëpret çdo hap që ndihmon punën e hetimit dhe të ndjekjes, si një kontribut pozitiv për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Komisioni pret tani që sistemi ligjor në Shqipëri të funksionojë tërësisht në mënyrë të paanshme. Puna duhet bërë pa asnjë pengesë drejt një hetim të shpejtë dhe efikas, që duhet ndjekur nga Prokuroria, nëse janë me vend, si dhe nga ndëshkimi i të gjithë personave që do të shpallen fajtorë
TCH: Po, por në anën tjetër, Komisioni Europian përsërit çdo vit, se fundmi edhe në 9 nëntor 2010, se korrupsioni është fenomen i përhapur gjerësisht në vend dhe se nevojitet reformë në sistemin e drejtësisë për të garantuar një gjyqësor të paanshëm, efikas dhe të pavarur. Pse besoni se tani ky sistem mund të funksionojë siç duhet?
Butler: Çështja e një gjyqësori të pavarur dhe zbatimit të shtetit ligjor janë aspektet kyçe të kriterit politik përsa i takon proçesit të anëtarësimit në BE. Shqipëria aplikoi për këtë anëtarësim dhe duhet t’i zbatojë plotësisht këto aspekte. S’mund të shtoj asgjë më shumë përveç çfarë thashë se ne mbajmë shënim pranimin e dorëheqjes nga kryeministri. Është vërtet shumë e rëndësishme që të gjitha aspektet e përmendura aty, të trajtohen në drejtësi të plotë e të pavarur, brenda sistemit ligjor që ekziston në vend, në mënyrë që të zgjidhet çështja e luftës ndaj korrupsionit dhe Shqipëria dhe të përmbushet synimi për të hyrë në BE.
TCH: Në Shqipëri ndodhi shpërthimi i Gërdecit, 26 persona u vranë 3 vite më parë dhe megjithëse kjo çështje nuk është zgjidhur, ish ministri i Mbrojtjes në atë kohë, është sot ende ministër në këtë kabinet qeverisës. Një ministër Kulture u shkarkua brenda pak minutave nga kryeministri Berisha për afera seksuale, ndërkohë që vijon të jetë drejtor në këtë administratë. Ndërkohë që në rajon, ish kryeministri kroat Sanader u arrestua me akuzat për korrupsion, në Mal të Zi Gjukanoviç dha dorëheqjen për të mos penguar më tej integrimin e vendit, ndërsa për Kosovën, ka një qendrim të qartë të Brukselit mbi manipulimin e zgjedhjeve. A mendoni se kemi një frymë të re në rajon?
Butler: “Ju po pyesni ne ka një moment vrulli tani. Ajo çfarë në presim tani është që Shqipëria, si të gjitha këto vende, të përmbushë të gjitha kriteret, të bëjë progres. E një nga kriteret kyçe është ai politik, ku çështja e drejtësisë është thelbësore, është thelbësore për të gjithë qytetarët shqiptarë, sepse askush nuk është mbi ligjin. Të gjitha vendet duhet të fokusohen në përmbushjen e kritereve dhe jo momentin, pasi flitet për reforma strukturore që nuk mbyllen brenda një kohe të shkurtër. Ne këtë drejtim, Komisioni Europian është gati t’ju ndihmojë, si një vend potencialisht kandidat, për këto reforma, por i takon Shqipërisë të jetë në lartësinë e pritshmërive për t’u bërë anëtare e plotë në BE”.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel