Komisioni Europian përsërit thirrjen ndaj autoriteteve të drejtësisë shqiptare për të hetuar mbi vërtetësinë e bisedës Meta-Prifti.
E pyetur, pak minuta përpara dorëheqjes së zëvendëskryeministrit Meta, për të reaguar mbi mënyrën sesi po ndiqet kjo çështje, Natasha Butler, zëdhënësja e re e Komisionerit për Zgjerim Stefan Fule, u përgjigj:
“Siç e thashë dhe të mërkurën, këtu po flitet mbi pretendime. Nga çasti i njohjes me to, e deri tani, ato nuk janë konfirmuar ende dhe u takon autoriteteve vendase që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me sistemin ligjor shqiptar. Siç e thashë dhe të mërkurën, do t’i referohesha të njëjtit qendrim përsa i takon kësaj, por dhe aspektit tjetër mbi rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit dhe proçesit të zgjerimit me Shqipërinë”.
Të mërkurën, Butler deklaroi se “lufta kundër korrupsionit është pjesë e kritereve politike për anëtarësim dhe në fakt paraqet kriterin kyç të 12 prioriteteve që KE paraqiti për Shqipërinë në raportin e fundit. Komisioni parashtron nevojën për gjurmë konkrete provash, me hetime, ndjekje penale dhe dënime në të gjitha nivelet zyrtare”, siç u shpreh ajo dy ditë më parë.
Zëdhënësja e Komisionerit Fule nuk dha asnjë koment mbi protestat popullore të lajmëruara sot nga PS, megjithëse u pyet edhe për këtë. Përsa i takon, çështjes nëse aferat korruptive në Shqipëri prekin financimet e BE-së për këtë vend, Butler tha:
“Fondet IPA (Instrumenti i Para-Anëtarësimit) menaxhohen në mënyrë të centralizuar. Zbatimi për këto fonde ndiqet plotësisht nga delegacioni i BE-së në Tiranë. Kjo përfshin prokurimet, seleksionimin deri në kontraktim. Thënë troç, administrata shqiptare nuk është përfituese e drejtpërdrejtë e fondeve IPA”.
Gjithsesi, zëdhënësja e Komisionit sqaroi se Zyra Europiane Kundër Korrupsionit është organi i BE-së që heton rastet e abuzimit të fondeve nga institucionet europiane.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel