Dy ditë pas publikimit të videos në emisionin “Fiks fare” në Top Channel zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta ka hequr dorë nga beteja publike duke dorëzuar funksionet e tij qeveritare, me qëllim, sipas tij, për t’i hapur rrugë hetimeve të Prokurorisë. (UPDATE)
“Të jap dorëheqjen nga detyrat qeveritare të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë. Lidhur me këtë vendim i cili është tërësisht personal, pasi dëshiroj që përpara ligjit të paraqitem si qytetar i thjesht. Duke pasur besim tek vetja ime, integriteti im, zotit Sali Berisha, duke i paraqitur të njëjtat argumenta, i kam njoftuar dorëheqjen time të parevokueshme nga funksionet qeveritare”, është shprehur Meta.
Ai ka sulmuar sërish ish-ministrin Dritan Prifti duke deklaruar se do të nisë një betejë të ashpër ligjore ndaj tij.
“Njëkohësisht unë do të nis një betejë ligjore, penale dhe civile, ndaj monstrës Dritan Prifti pasi është e rëndësishme që në këtë vend të gjithë ata që janë të marrë peng për arsye të veprimeve korruptive, të cilët ja shesin shpirtin vetëm për të mbrojtur pasuritë kriminale të tyre dhe të atij rrethi kriminal që kanë përfaqësuar apo përfaqësojnë, të mund të guxojnë që të ndërmarrin veprime të tilla monstruoze, kriminale”, tha Meta.
Ai deklaroi se ky ishte nje vendim personal te cilin do ta paraqesë edhe në mbledhjen e kryesisë që do të zhvillohet në orët e pasdites. Nga ana tjetër ai deklaroi se i konfirmon zotit Berisha konsolidimin e koalicionit me qëllim për t’i shkuar në fund luftës ndaj krimit të organizuar.
Top Channel