Rakipi: Video, fat për cdo prokuror

13/01/2011 19:50

Ish-prokurori i përgjithshëm Arben Rakipi deklaron se, vërtetësinë e kasetes filmike ku shfaqet zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe ish-ministri Prifti do ta përcaktojë gjykata.

Por, në një intervistë për Top Channel, ai e cilëson atë si një provë materiale mëse të mjaftueshme për cdo prokuror për të punuar me të.

“Ekziston një lloj vullneti për të mos u marrë me subjekte të tilla, duke e bërë punën e prokurorisë tolerante. Nuk mund ta besoj që kjo video është e pavërtetë, sigurisht që është e vërtetë dhe përbën një burim prove për cdo prokuror. Prokurorët do ta konsideronin një fat po ta kishin atë”, deklaron Rakipi.

Sipas ish-prokurorit Rakipi, jo vetëm prokuroria në kohët e fundit por të gjitha organet e drejtësisë kanë shprehur vullnet të dobët për t’u shkuar hetimeve deri në fund, në lidhje me akuzat për korrupsion ndaj politikanëve shqiptare. Ish-kryeprokurori shprehet se, ka një mangësi profesionale të dukshme të njerëzve të drejtësisë.

“Teknikisht po, padiskutim. I mëshoj faktit se ka një mungesë vullneti për t’u shkuar deri në fund gjërave. Nëse nuk u shkohet në fund gjërave të tilla, atëherë situata është alarmante. Rastet e fundit kanë treguar se cështjet e fundit janë bllokuar për shkak të mangësisë profesionale”, shprehet Rakipi.

Ish-prokurori i përgjithshëm deklaron se pikërisht për hetime të tilla politika e largoi atë nga drejtimi i organit të akuzës.

Rakipi shprehet se dikur në hetime të tilla nuk kishte presione të drejtpërdrejta, por presioni ndihej, ndërsa lë të kuptohet se tani presioni është edhe më i madh dhe më i drejtpërdrejtë.

“Presion direkt për hapjen ose mbylljen e hetimeve nuk ka patur. Uroj që edhe sot të jetë situata e njëjtë. Megjithatë, një lloj presioni është prezent. Subjektet e përfshira në hetim kanë edhe fatin e prokurorit në dorë, sic ishte edhe rasti im”, thotë Rakipi.

Shkarkimi i zotit Rakipi në vitin 2002 erdhi pas një votimi në Kuvend, ku u shfaq ndoshta për herë të parë bashkëpunimi mes zotit Meta, që sapo kishte lënë detyrën e kryeministrit dhe zotit Berisha që drejtonte opozitën, dhe ku një pjesë e grupit parlamentar socialist bashkoi votat me grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Top Channel