Zëvendëskryeministri dhe ministri i Energjitikës, Ilir Meta ka deklaruar se do të fitojë betejën, pas publikimit të një materiali filmik, ku ai udhëzonte ish ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti të manipulonte tenderin e një hidrocentrali, në favor të një kompanie private të afërt me të.
Ai theksoi në një dalje para gazetarëve se “autori i përgjimit pranoi se ka dërguar një kasetë të montuar”.
“Betejën do ta fitoj në emër të dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë, në emër të dinjitetit përballë pengmarrësve të cilët do të dalin me fytyrën e vërtetë përpara shqiptarëve”, është shprehur Meta.
Numri dy i qeverisë ka vijuar akuzat ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, duke e konsideruar si të përfshirë në publikimin e videos.
“Më vjen shumë keq për ëndrrën e parealizuar të kryetarit të PS-së. Ai është bashkëregjisori së bashku me njeriun që po e drejton atë, zotin Doshi, që ka marrë në administrim edhe zotin Prifti. E gjithë kjo kundër një politikani, lideri të një partie politike. Kjo është një sfidë dhe betejë karakteresh. Unë ndihem absolutisht i privilegjuar që të mbetem i njëjti person me të njëjtin karakter, një karakter që do ta ndihmojë PS-në të shikojë më qartë se nga çfarë klani kriminal është urzurpuar dhe çfarë metodash po përdorë për të marrë pushtetin”, tha Meta.
Top Channel