Irani fton Topin të vizitojë Teheranin

13/01/2011 21:35

Presidenti Bamir Topi është ftuar nga autoritetet iraniane që të marrë pjesë në mars në festën e Sulltan Novruzit, që konsiderohet si Viti i Ri Persian, informoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Iraniane, Mahmin Mehmanparast.

Lajmin e bëri të ditur Agjensia Iraniane e Lajmeve “ISNA”, e cila shtoi se shefi i stafit të qeverisë, Esfandiar Rahim Mashaei do të vizitojë në ditët në vazhdim vendin tone, për t’i dorëzuar personalisht ftesën presidentit Topi.

”Masaei do t’i dorëzojë një ftesë zyrtare të presidentit Mahmoud Ahmadinejad homologut të tij shqiptar, Bamir Topi, për të marrë pjesë në festimet e Novruzit që do të mbahen në Iran”, deklaroi Mehmanparast.

Ai saktësoi se përfaqësitë diplomatike të Iranit nuk janë të autorizuara të dorëzojnë ftesën dhe se ajo do të bëhet personalisht. Teherani synon të krijojë një konferencë ndërkombëtare me disa kryetarë shtetesh, për të festuar Vitin e Ri persian, gjatë marsit në Iran.

Top Channel