Dhuna ndaj gazetarëve të TCH

30/12/2010 15:25

Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të dhënë nga gjykata e Peshkopisë për lirimin e agresorit të një grupi xhirimi të Top Channel gjatë realizimit të një reportazhi problemor në minierat e kromit në Bulqizë.

Çipa u shpreh se drejtësia shqiptare vazhdon të japë vendime selektive kundër mediave.

“Unioni i Gazetarëve reagon i alarmuar ndaj dhunës në Bulqizë dhe dëshmon se edhe drejtësia ka territore të pakontrolluara. Ky vendim tradhëton sjelljen reale që ka drejtësia ndaj çështjeve të veçanta duke lejuar një selektim ndaj personave që përfitojnë në mënyrë abusive”, është shprehur Çipa.

Kreu i Unionit u shpreh se do të apelohet edhe në organizmat ndërkombëtare, duke dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të Top Channel.

“Unioni i Gazetarëve bën apel që nivelet e tjera të drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje sipas ligjit dhe jo në mënyrë selektive. Ne do ta ndjekim këtë çështje për të parë sesi po vendoset raporti i marrëdhënieve të drejtësisë me pushtetin e katërt që është media”, tha Çipa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA