Gashi: Basha, përkthyes për Baraybar

29/12/2010 20:45

Tefik Gashi, një ish-anëtar i ekipit të ekspertëve të drejtuar nga peruani Jose Baraybar, tregon se ai kishte vjedhur eshtrat e trupave që nuk kishin lidhje me viktimat e luftës.

Pas deklaratave të tij në një intervistë në Top Channel, se Lulzim Basha kishte qenë prezent në hetime por jo përkthyes i tij, ekspertët kosovarë thonë se ministri aktual i Brendshëm i Shqipërisë ka qenë përkthyes i Baraybar në procesin që u hap ndaj tij në gjykatën e Prishtinës.

“Po, Basha ka qenë përkthyes në disa seanca, por vetëm në këtë rol. Nuk e di kush e kishte zgjedhur, por ka qenë për ne në cilësinë e përkthyesit nga anglishtja në shqip dhe anasjelltas. Ne kur flisnim ai mundohej të na shpërqendronte, por ne i thamë se ti je vetëm përkthyes dhe nuk ke kompetenca”, deklaron Gashi.

Gashi ishte një nga mjekët ligjorë që u shkarkua nga detyra pasi denoncoi vjedhjen e kockave nga Baraybar. Ai thotë se antropologu ka shkelur etikën e punës duke marrë pa lejen e familjarëve kockat e viktimave të luftës.

“Ka ardhur edhe një tjetër mjeke nga Franca, nga Strasburgu, e cila ka mbajtur disa ligjërata dhe në bisedë e sipër është interesuar për disa eshtra. Në vendin ku kemi cuar eshtrat, zoti Baraybar ka bërë doktoraturën. Kështu jemi informuar prej disa burimeve”, tregon Gashi.

Ndaj Baraybar është ngritur një padi penale, me të cilën po merret avokati Tomë Gashi, i cili thotë se Baraybar është larguar nga Kosova nga frika e përballjes me drejtësinë.

Top Channel