Dhuna ndaj gazetarëve, cështja në Apel

29/12/2010 19:55

Prokuroria e Peshkopisë ka apeluar vendimin e dhënë nga gjyakata e këtij rrethi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për shtetasin Adem Durici, i cili dhunoi trupën televizive të Top Channel në Bulqizë, si dhe dëmtoi pajisjet televizive.

Sipas prokurorisë së këtij rrethi, pas zbardhjes së vendimit është dalë në përfundimin se ka mangësi në interpretimin e ligjit, ndaj ajo do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit në Tiranë, për të rivlerësuar edhe njëherë tjetër masën e sigurisë për Duricin.

Shkeljet në vlerësimin e kësaj mase sigurie kanë qenë të rënda, ndaj organi i akuzës në bazë dhe të Kodit të Procedurës Penale do të kërkojë edhe njëherë tjetër një vlerësim.

Këtë radhë gjykata, e cila do të vlerësojë masën e sigurisë për shtetasin e akuzuar për katër vepra penale, është gjykata më e madhe në vend e shkallës së dytë.

Pas këtij episodi, policia e arrestoi Duricin me akuzën e goditjes për shkak të detyrës së katër personave, kanosjes për shkak të detyrës, fyerjes për shkak të detyrës dhe shkatërrimit të pronës.

Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, gjykatësi Ahmet Jangulli, në mënyrë absurde liroi këtë shtetas duke e konsideruar si jo të rrezikshëm për shoqërinë. Ndërkohë që pritet edhe reagimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në lidhje me vendimin e dhënë.

Top Channel