
Në prag të fushatës elektorale, qeveria shqiptare tregohet bujare me firmat e ndërtimit. Në fakt nuk po u bën ndonjë nder, sesa po likuidon faturat e papaguara të punimeve të kryera që nga fushata parlamentare e qershorit 2009.
Qeveria nuk mund t’u “kërkonte” më ndere ndërtuesve për zgjedhjet e ardhshme të majit, kur ende kishte pa likuiduar faturat e kaluara, kështu që ndryshoi buxhetin duke përdorur të drejtën që i jep akti normativ.
Miratimi i aktit për buxhetin e vitit 2010 është kryer javën e kaluar nga qeveria në fshehtësi të plotë. Sikurse ka vepruar në tre vitet e fundit, Ministria e Financave kryen disa rregullime të buxhetit, duke u nisur situata e mbetur me shpenzimet dhe arkëtimet.
Gazeta “Shqip” mëson faktin se bëhet fjalë për rishikim të buxhetit në masën e 5 miliardë lekëve, në interes të sektorit rrugor. Këto para janë krijuar nga rezervat e ministrive që nuk mundën t’i shpenzonin fondet brenda afateve, dhe për t’u mos u djegur, pasi edhe pak ditë mbeten nga mbyllja e vitit, qeveria ia “gjen” vendin duke i kaluar për sektorin rrugor.
Mësohet se 5 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, si nevojë për financimin e atyre projekteve që kanë avancuar më tepër gjatë vitit 2010.
“Janë kryesisht fonde që do të përdoren për likuidimin e disa shoqërive private të ndërtimit, të cilat kanë punuar në objektet publike, por që nuk janë paguar”, tregon pë gazetën një burim si sigurt i Ministrisë së Transporteve. Duket se nisja e fushatës elektorale dhe fakti i detyrimeve të prapambetura ka çuar në gjetjen e zgjidhjes së problemit që ministria e Transporteve kishte me firmat e ndërtimit.
Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike mohoi t’u kishte borxhe ndërtuesve për rrugët e ndërtuara gjatë fushatës së kaluar, por pranoi nga njëra anë se për punët e kryera në 2010-n kishte mbetur një detyrim prej 3.4 miliardë lekësh, që sipas tij do të likuidoheshin shumë shpejt.
Nga ana tjetër, ndërtuesit ngrenë akuzat ndaj qeverisë për shuma më të mëdha nga sa pretendon ministri. Sipas kryetarit të shoqatës së ndërtuesve, Maksim Mucci, janë gati 10 miliardë lekë fatura të papaguara për punët e kryera në dy vitet e fundit.
“Qeveria duhet të marrë masat sa më shpejt. Shumë firma ndërtimi kanë marrë kredi te bankat për të realizuar investimin e kërkuar nga institucionet publike”, tha Mucci. Borxhi kryesisht i takon sektorit të rrugëve, pë të cilat qeveria cakton mesatarisht ccdo vit të paktën 30 miliardë lekë.
Akti normativ i qeverisë prek disa institucione, të cilave u janë abritur fondet dhe u kanë kaluar Ministrisë së Transporteve. Dokumenti zyrtar përmban të dhëna të tjera lidhur me zhvendosjen e fondeve, por ato nuk bëhen publike, edhe pse kanë marrë miratimin e qeverisë dhe tashmë ndodhet në Kuvend për t’u miratuar në janar.
Akti normativ realizohet në periudha kur ka diferenca të konsiderueshme në realizimin e investimeve dhe tek të ardhurat. Si 11-mujor, investimet publike ishin 5 miliardë lekë më pak se plani i buxhetit dhe gati 10 miliardë lekë më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Pikërisht, këto diferenca rregullohen përmes aktit normativ, ku fondet i shkojnë atij institucioni që ka ecur mirë me projektet dhe ka nevojë për to, duke ia marrë një tjetri që ka dështuar me planin.
Top Channel