
Fluturimet anembane Europës po i rikthehen ngadalë normalitetit pas çrregullimeve të mëdha të shkaktuara nga një dimër më i ashpër se zakonisht.
Megjithatë, debora e dendur dhe ngricat vazhdojnë të mbjellin kaos nëpër rrugë e linja hekurudhore.
Aeroporti më i madh i kontinentit të vjetër, ai i Frankfurtit në Gjermani, i paralizuar thuajse krejtësisht për ditë të tëra prej dëborës dhe akullit, ka rinisur programin e tij normal, ndonëse u anuluan 50 fluturime nga 860.
Edhe në Paris e Bruksel, më në fund udhëtarët e bllokuar prej atij që përshkruhet si njeri nga dimrat më me shumë reshje deborë në histori, kanë nisur të ngjiten nëpër avionë.
Mungesa e solucioneve për shkrirjen e akullit nga pistat ishte një nga arsyet kryesore për pezullimin e fluturimeve në aeroportin qendror të Parisit, Charles de Gaulle, i cili u detyrua të kërkonte furnizime nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.
Me mijëra udhëtarë të zemëruar po vënë në pikëpyetje aftësinë e industrive ajrore dhe hekurudhore të Europës për t’i bërë ballë kushteve të dimrit.
Por ndonëse trafiku ajror është lehtësuar disi, ai hekurudhor vazhdon të has vështirësi të mëdha, sidomos trenat e shpejtësisë së lartë.
Linja e Eurostrarit që lidh Parisin me Londrën akoma ka vonesa të shumta e anulime.
Problemet e qarkullimit po mundojnë më së shumti Gjermaninë, ku shërbimi hekurudhor në veri dhe në lindje të vendit pothuajse është pezulluar komplet.
Policia njoftoi se rrugët e rreshqitshme nga akulli janë bërë shkas për qindra aksidente, ndonëse shumica nuk kanë qenë të rënda.
Shumë gjermanë zgjodhen ta shmangin të ftohtin e skajshëm, duke qendruar në shtëpi.
Top Channel