
Përmbytjet në Venezia kanë shkaktuar alarm gjatë mbrëmjes, ndërsa qindra banorë evakuan banesat e tyre nga frika e rritjes së mëtejshme të nivelit të ujit, njoftuan mediat italiane.
Lagjet më të ulta të qytetit janë nën ujë, ashtu si 57% e totalit të të gjithë qytetit. Niveli i ujit është rritur me 143 centimetra, duke u shndërruar në përmbytjen më të rëndë që prej vitit 1966.
Në alarm edhe qyteti i Viçencas, ku lumi i Bakiliones u rrit brenda pak orësh nga niveli 4,80 në 5,34 metra, shumë pranë nivelit maksimal të argjinaturave dhe digave mbrojtëse.
Disa rrugë të qytetit antik, të përmbytura më parë edhe në 1 nëntor janë bllokuar për siguri. Gjatë mëngjesit situata po përmirësohej, por parashikimet atmosferike flasin për rreshje të tjera në ditët në vazhdim.
Shiu i dendur në rajonin e Trentos ka shkaktuar gjithashtu probleme të shumta me përmbytjet, me zjarrëfikësit dhe punonjësit e sigurisë që janë në gatishmëri për çdo të papritur.
Rreshjet nuk ndalojnë në rajonin e Ligurias që prej më shumë se një jave, duke shkaktuar përmbytje në qytetin e Genoa-s. Shumë nënkalime në qytet janë mbyllur.
Ndërkohë, niveli i lumit të madh në Itali, ai Po u rrit me një metër vetëm brenda pak orësh, duke alarmuar qytetin e Piaçencës. Në alarm për nivelin e ujrave edhe zonat e Parmës e Toskanës.
Top Channel