Pas pesë ditë debatesh të ashpra, parlamenti grek me 156 vota pro të deputetëve socialistë nga gjithsej 298 të pranishmit, ka aporvuar projekt buxhetin ekonomik të vitit 2011, i cilësuar si më i ashpri në historinë e vendit.

Kryeministri Papandreu e ka quajtur 2010-n si një vit të skëtershëm, por ka shprehur besimin se vendi do të rikthehet në rrugën e zhvillimit.

“Do të kryejmë detyrën tonë dhe deklaroj se jam më i vendosur se kurrë të ndryshoj vendin, megjithë vështirësitë e përkohshme. Jam akoma më optimist për këtë vend dhe popullin e tij. Nuk do të falimentojmë. Ne 2012-n do të rikthehemi në ritmet e zhvillimit dhe në 2013-n do të jemi të çliruar nga Memorandumi i Ndihmës. Masat e ashpra ekonomike tashmë i kemi lënë pas”, është shprehur Papandreu.

Partia me e madhe e opozitës, Demokracia e Re nuk e ka votuar projekt-buxhetin dhe udhëheqësi i saj Andonis Samaras e ka quajtur proçedurën, si një diskutim në kushtet e një sovraniteti të përkufizuar.

“Projekt buxheti 2011, është një pasqyrim i dobësisë së PASOK-ut në trajtimin e krizës. Ndërsa më parë si parti opozitare thoshin ‘jo’ për gjithçka, tashmë janë ‘pro’ të gjitha urdhërave të Memorandumit të Ndihmës Ekonomike”, është shprehur Samaras.

Projekt buxheti ka si qëllim reduktimin e defiçitit në 7,4 nga 9,4% që është sot, nëpërmjet shkurtimeve të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, ristrukturimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe rritjes së taksave sipas kushteve të vendosura nga BE dhe FMN pas aprovimit të Memorandumit të Ndihmës Ekonomike prej 110 miliardë eurosh.

Plani financiar përmban gjithashtu edhe masa për të luftuar evazionin fiskal, korrupsionin dhe për të krijuar një sistem më efikas dhe transparent të shtetit. Plani financiar në fjalë është kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtohet me greva dhe lëvizje sindikaliste nga shumica e qytetarëve greke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA