
Senatorët amerikanë po bëhen gati të ratifikojnë traktatin e vonuar të armëve bërthamore, që do t’i hapë rrugë reduktimit të arsenaleve atomike në SHBA dhe Rusi.
Pas muajsh të tërë mosmarrëveshjesh në Senat, ku duhen dy të tretat e votave, traktati i ri START do të votohet më vonë gjatë ditës së sotme.
Ai do të detyrojë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë që të shkurtojnë kokat e tyre bërthamore me 30 për qind, ose në 1550 njësi.
Ratifikimi do të ishte një fitore për presidentin Barack Obama, pas një beteje të gjatë të zhvilluar prej tij.
Pavarësisht protestave të tejzgjatura të republikanëve në Kongres, 11 senatorë të këtij krahu votuan bashkë me demokratët ditën e martë për t’i dhënë fund debatit dhe për të arritur tek votimi final.
Që traktati të hyjë në fuqi duhen votat e dy të tretat të senatorëve, ose 67 nga 100 prej tyre.
Gjithashtu, marrëveshja do t’u lejojë dy superfuqive që të inspektojnë arsenalet e njëra-tjetrës, për të verifikuar se sa koka luftarake kanë në një raketë.
Top Channel