Itali, studentët rikthehen në rrugë

22/12/2010 15:25

Mijëra studentë iu rikthyen protestave nëpër rrugët e Italisë gjatë ditës së sotme, vetëm disa ditë pas manifestimeve të dhunshme që shkaktuan 20 milion euro dëme në kryeqytetin Romë.

Të rinjtë janë kundër një reforme konfliktuale për arsimin, që Senatit pritet të miratojë së shpejti. Kryeministri Silvio Berlusconi, i cili javën e shkuar i mbijetoi një mocioni mosbesimi në parlament, e ka cilësuar si të domosdoshme këtë masë për shëndoshjen e sistemit arsimor.

Sipas qeverisë, reforma do të kursejë disa miliarda euro, duke krijuar njëkohësisht një sistem të bazuar në meritë. Për kritikët, edhe pa këtë reformë, Universitetet nuk janë duke marrë fondet e duhura për mbarëvajtjen e tyre.

Në Romë, mijëra studentë marshuan paqësisht nëpër rrugët e qytetit, ndërsa policia kishte marrë masa të rrepta për të shmangur përsëritjen e shpërthimit të dhunës. Në Milano, Torino, Venecia dhe Peruxhia, studentët iu solidarizuan bashkëmoshatarëve të tyre kryeqytetas.

Italia shpenzon aktualisht më pak se 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin, më pak se secili prej vendeve të tjera të zhvilluara. Sipas protestuesve, reforma do të shkurtojë drastikisht fondin e bursave dhe do të shkurojë rreth 130 mijë vende pune në sektorin e edukimit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta