Irak, kristianët anullojnë festat

22/12/2010 19:50

Kristianët irakenë nuk do të kenë mundësinë të festojnë Krishtlindjet, pasi institucionet fetare kristiane do të qëndrojnë të mbyllura gjatë datës së shënuar, informoi sot arkipeshvki Louis Sako.

Al-Qaeda kërcënoi përpara pak ditësh se do të ndërmarrë sulme ditën e 25 dhjetorit dhe besimtarët nuk duan të rrezikojnë, pas shpërthimit që shkaktoi 68 viktima në një Kishë në Bagdad, dy muaj më parë.

Zyrtarët fetarë të Bagdadit dhe qyrteteve të tjera kryesore në vend bënë të ditur se nuk do të mbahet asnjë meshë në ditën më të rëndësishme të kalendarit kristian, ndërsa iu kërkua të krishterëve që të shmangin dekorimin e jashtëm të shtëpive të tyre.

”Askush nuk mund të injorojë kërcënimet e Al-Qaedas ndaj komunitetit kristian”, deklaroi arkipeshvi Sako, ndërsa grupe fondamentalistësh në vend kanë bërë thirrje për krijimin e një gjendje terrori ndaj pakicës së vogël të krishterë në Irak.

29 milion persona banojnë në vendin e drejtuar dikur prej Sadam Hussein-it. Statistikat janë kontradiktore, por ato flasin për 400 mijë deri në 1,4 milion të krishterë në vend.

Top Channel