
Zërat për një sërë problemesh në gjirin e koalicionit qeverisës të drejtuar nga kryeministri David Cameron janë vërtetuar përmes një investigimi nga dy gazetarë të së përditshmes “Daily Telegraph”.
Është Vince Cable, ministri që mbulon çështjet e biznesit, nga Partia Liberal Demokrate që ka shprehur një mori pakënaqësish gjatë një bisede me dy gazetarët e paraqitur si votues në zonën e tij elektorale.
Cable gjatë bisedës të regjistruar në mënyrë sekrete tha se ai ka të gjitha mundësitë për të rrëzuar qeverinë nëse ai do të shtyhet për të bërë më shumë se ç’është e mundur nga kolegët e tij konservatorë.
I pyetur nga gazetarët investigativë se çfarë influence ai ka në qeverinë e kryeministrit Cameron, ministry ka dhënë këtë përgjigje:
“Dua të jem shumë i siqertë me ju. Unë kam një mundësi nukleare. Është njësoj si të luftosh një luftë. Ata e dinë që unë kam një armë nukleare, por unë nuk kam ndonjë armë konvencionale. Nëse do të shtyhet për të bërë më shumë se ç’është e mundur, atëherë unë largohem nga kabineti qeveritar duke e rrëzuar qeverinë. Ata e dinë këtë”, ka deklaruar Cable.
Më tej gjatë bisedës zoti Cable ka ilustruar situatën brenda koalicionit me detajet e disa debate mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve siç janë ato për bankat, çështjet e emigracionit apo rritjen e tarifës për të ndjekur universitet.
Si një betejë konstante e ka cilësuar ai atë që po ndodh mes partnerëve të koalicionit qeverisës.
Këto deklarata padyshim do të shkaktojnë një valë tronditjeje në politikën britanike.
Jo vetëm kaq, por edhe do të ngrenë një sërë pikëpytjesh për vijimin e koalicionit pasi deklaratat e Cable një politkan popullor tek Liberal Demokratët, janë të sinqerta gjatë bashkëbisedimit.
Kur Daily Telegraph ka kontaktuar Vince Cable të komentonte deklaratat e regjistruara ai ka shprehur keqardhje duke u ndjerë i turpëruar, për të tilla deklarime dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga qeveria.
Daily Telegraph ka premtuar publikimin e të tjera investigimeve në ditët në vazhdim, përmes të cilave do të tregohen pakënaqësitë e aleatëve Liberal Demokrat në qeverinë Cameron.
Top Channel