
Mazhoranca dhe opozita janë rikthyer sërish në pikënisjen e krizës politike kur në komisionin e ligjeve demokratët kanë kundërshtuar sërish draftin e paraqitur nga PS për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. (UPDATE)
Për demokratët, ky draft i selisë rozë dhe i opozitës në tërësi ka të paktën tre pika ku shkelet Kushtetuta.
Qëndrimin e saj mazhoranca e justifikon me faktin se sipas saj, drafti ka defekte të rënda që në përcaktimin kushtetues të objektit të hetimit.
“Mbështetur në analizë, projektvendimi ka defekte në përcaktimin kushtetues të objektit të hetimit, të moscënimit me organet e tjera dhe përcaktimit të racionalitetit të Kuvendit. Pikat 2, 3 dhe 4 duhet të riformulohen”, ka deklaruar deputeti i PD, Viktor Gumi.
Por socialistët nga krahu i tyre akuzuan mazhorancën se po pengon qëllimisht ngritjen e komisionit hetimor, si mënyra e vetme, sic tha deputeti Xhafa, për të mos lejuar kryerjen e transparencës së zgjedhjeve, një skemë kjo që për selinë rozë përkthehet si një tentativë e re për të grabitur procesin e ardhshëm elektoral.
“Ajo që do të duhej të bëhej sot ishte hapja rrugë këtij procesi, për të cilin kemi rënë dakord, për të cilin jeni shprehur zyrtarisht edhe me shkrim dhe keni garantuar partnerët ndërkombëtarë. Dhe kjo është një gjë e rëndë. Ju nuk mund të silleni as me demokracinë, as me parlamentarizëm”, ka deklaruar Xhafa.
Kaq ka mjaftuar që deputetët socialistë të largohen, ndërsa ata mazhorancës kanë miratuar vetëm me votat e tyre relacionin e deputetit Gumi, me qëndrimin demokrat per komisionin hetimor.
Top Channel