
Një grup biznesmenësh të Gjirokastrës protestuan paraditen e sotme në ambjentet e nënstacionit elektrik, për shkak se prej 15 ditësh kanë mungesë të energjisë deri në 12 orë në ditë. Këto mungesa u kanë krijuar atyre mjaft probleme.
“Protesta jonë synon që të marrë fund kjo histori njëherë e mirë. Nëse nuk merr fund, ne do ta përshkallëzojmë qëndrimin tonë. Do ta përshkallëzojmë nëse nuk marrim atë zgjidhje, që të kemi 24 orë energji dhe që të jetë kontrata mes CEZ dhe privatit. Ne jemi pa kontratë aktualisht”, deklaroi një prej protestuesve.
Pak minuta pasi protestuesit shkuan në ambjentet e nënstacionit elektrik, aty është paraqitur policia për t’i larguar.
“Ndërprerja e energjisë nga kompania që na furnizon është e përditshme. Kjo bëhet pa asnjë shpjegim dhe dëmi që shkakton është i konsiderueshëm jo vetëm për familjet, por edhe bizneset”, u shpreh një protestues tjetër.
Protestuesit premtuan se do të rikthehen deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Top Channel