“Marty”, vota e munguar e Tiranës

18/12/2010 15:00

Projekt-rezoluta e Komisionit për Cështjet Ligjore dhe të drejtat e
njeriut, e miratuar të enjten me unanimitet në Paris, duhet të kishte
pasur të paktën një votë kundër: atë të përfaqësuesit të Shqipërisë.

Në Komisionin e Cështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Shqipëria përfaqësohet nga deputeti Shpëtim Idrizi, dhe si anëtar zëvendësues, deputeti Damian Gjiknuri.

Por si deputeti Idrizi edhe deputeti Gjiknuri, të kontaktuar me telefon nga Top Channel, thonë se nuk kanë pasur dijeni për mbedhjen e së enjtes në Paris. Po ashtu, edhe deputeti Ilir Rusmali, që kryeson delegacionin e deputetëve shqiptarë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, thotë se nuk ka pasur dijeni. Sipas deputetëve të kontaktuar, njoftimi duhet të kishte ardhur nga Këshilli i Europës.

Për shkak të fundjavës, Top Channel e pati të pamundur të kontaktonte me sekretarinë e komisionit për të verifikuar nëse i ka njoftuar apo jo deputetët shqiptarë. Deputeti Shpëtim Idrizi, përvec se është anëtar i Komisionit të Ligjeve, është edhe anëtar i të njëjtit grup parlamentar ku bën pjesë deputeti zvicerian Dick Marty, raporti i të cilit shërbeu si bazë për projekt-rezolutën e komisionit të ligjeve.

Deputeti Idrizi konfirmon se përpara fillimit të sesionit të janarit 2011, ai do të kërkojë në mbledhjen e grupit që grupi parlamentar i Aleancës së Demokratëve dhe Liberalëve për Europën të dalë me një qëndrim kundër projekt-rezolutës. Nëse kërkesa do t’i rrëzohet, ai do ta braktisë publikisht këtë grup. Në cdo rast, deputeti Idrizi konfirmon se deputetët shqiptarë do të bashkërendohen përpara sesionit plenar të Asamblesë që do të mblidhet më 24 janar 2011.

Deputetët shqiptarë do të mbërrijnë në Strasburg disa ditë më parë, për të lobuar kundër projekt-rezolutës që pritet të votohet nga Asambleja e përbërë nga 318 deputetë, përfaqësues të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës.

Top Channel