
Pas një viti intensiv dhe me tension mes palëve, qeveria lidh më në fund kontratën me shoqërinë zvicerane, “Sicpa”, e cila do të mundësojë prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale për artikujt e luksit, duke përfshirë këtu edhe ilaçet.
Bëhet fjalë për koncesionin me afat 35 vjet, gjatë të cilit shoqëria private do të ngrejë një sistem kontrolli dhe sigurie që shmang evazionin fiskal, pasi në çdo ambalazh produkti do të vendoset një pullë e re, që garanton ligjshmërinë dhe formalitetin në mbledhjen e të ardhurave.
Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Financave, për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet “Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërive ‘Sicpa Security Solutions’ (dega kryesore) dhe ‘Sicpa Security Solutions, Albania’, (filiali në Shqipëri), për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”.
Projektligji i miratuar dje nuk përmbante asnjë informacion rreth kontratës së lidhur sa i takon vlerës së investimit, kostos për nxjerrjen e pullës fiskale dhe ndikimi që do të japë te produktet si duhan, pije alkoolike, birrë, kafe dhe ilaçe.
Kujtojmë se tenderi i zhvilluar në fillim të këtij viti u shoqërua me ankesa nga shoqëritë rivale, ndërsa nga pala e qeverisë nuk u dha asnjë informacion rreth procedurave, duke e mbajtur të fshehur deri në momentin e fundit, kur dje qeveria shpalli fituesin dhe lidhjen e kontratës.
Top Channel