Topi: Parlamenti funksionon me opozitën

16/12/2010 21:55

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar se debati mes partive politike është i domosdoshëm në një demokraci parlamentare.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Topi është shprehur se roli i tij si kryetar shteti është dhënia e një mesazhi për zgjidhjen e situatave të cilësuara.

“Demokracia nuk është ndërtuar e tillë që ligjet të miratohen me një mazhorancë të thjeshtë. Sipas rëndësisë së problemit, konsiderohen votime të cilësuara ato që kërkojnë konsensus politik. Presidenti, duke analizuar situatën politike, duhet të japë mesazhin e duhur. Gjithmonë kam menduar se duhet të ketë bashkëpunim, i cili nëse nuk ka komunikim politik, është i vështirë të arrihet”, ka pohuar Topi.

Presidenti ka nënvizuar se që institucioni i Parlamentit të funksionojë duhet të jetë i strukturuar dhe të ketë një opozitë konstruktive.

“Një Parlament funksionon mirë kur është i strukturuar mirë. Nëse kemi një mazhorancë, pavarësisht se numrat i kalojnë 70, dhe nuk ndihet roli i opozitës, atëherë fillon të calojë demokracia parlamentare”, ka nënvizuar Topi.

Ai ka theksuar se roli i tij si president nuk është që t’iu japë leksione partive, por që të japë mesazhin e duhur në momentin e duhur.

“Unë nuk jap leksione tek partitë, do të ishte e pavend. Presidenti bën apelin që marrëdhëniet në Parlament të jenë të strukturuara, me komunikim, debat dhe interpelanca dhe në fund është votimi ai që përcakton”, ka shtuar Topi.

Top Channel