
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shpreh se lëvizja e lirë “është një ëndërr e bukur që realizohet duke pasur parasysh izolimin që shqiptarët kanë jetuar”.
Duke folur në emisionin ‘Top Story’ në Top Channel, presidenti theksoi se tashmë qytetarët shqiptarë do kenë mundësi të njohin botën, pjesëtarë të së cilës kanë qenë gjithmonë.
“Shqiptarët nuk do rrinë më nëpër radha, do mund të shkojnë të kurohen në klinikat e huaja ose të dalin thjesht për turizëm. Cdo njeri do të ndihet i lirë për të zgjidhur hallet, por edhe për tu kënaqur”, u shpreh Topi.
“Kjo arritje është meritë e të gjithëve, meritat nuk duhet të mohohen. Nuk duhen bërë diferenca sepse arritja e madhe u takon të gjithëve. Cdo institucion, politikan dhe qytetar duhet të ndihet bashkëpunëtor”, shtoi presidenti i Republikës.
Përsa i përket opinioneve se lëvizjen e lirë nëpër Europë shqiptarët duhet ta kishin fituar me kohë, Topi theksoi: “Se si dhe kur duhet të kishte ardhur kjo ditë nuk ka më vlerë. Duhet të vlerësojmë momentin e bukur. Cdo njeri është i lirë ta festojë arritjen, por gjithmonë është mirë të kujtohen edhe momentet e këqia për të parë se dikur nuk e kemi pasur këtë mundësi.”
Gjithashtu, Topi e vlerësoi këtë vit politik si pozitiv për Shqipërinë: “Duhen vlerësuar momentet që kanë të bëjnë me progresin e Shqipërisë. Arritjet si hyrja në NATO, lëvizja e lirë e qytetarëve dhe progresi për integrim në BE janë elementë pozitivë. Debati politik do ekzistojë mes partive dhe qëndrimet e ndryshme do ekzistojnë. Pa debat nuk ka demokraci. Ishte vit i vështirë politikisht, por kurrsesi i errët. Vit i errët ishte 1997.”
Top Channel