
Zyrtarët e Komisionit Europian që vizituan Tiranën shpesh herë gjatë proçesit të liberalizimit të vizave pritën në shtëpinë e tyre, 50 qytetarët shqiptarë, të shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Basha.
Përfaqësuesi i presidencës belge, Melchior Watelet tregoi që në fillim se “heqja e vizave është një provë, një konfidencë që ju është ofruar shqipëtarëve”. Shprehje kjo që sipas drejtorit për Ballkanin, Pierre Mirel, nënkuptonte “se nuk flitet vetëm për heqje vizash, por dhe për kufizime”.
“E të gjithë, ne dhe ju do paguajmë çmimin nëse nuk respektohen ato, pasi do cënohej besueshmëria jo vetëm për vizat, por për gjithë proçesin e zgjerimit”, është shprehur Mirel.
Pasi tregoi një aventurë personale që ka hasur në veri të Shqipërisë, edhe Luigi Soreca, shefi i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Çështjet e Brendshme, bëri të njëjtën lidhje mes çështjes së vizave e zgjerimit.
“Shumicës prej tyre, ju thashë, hajdeni në Europë, por kthehuni në Shqipëri”, tha Soreca.
TCH – Por kushti i përzgjedhjes ishte enkas fakti që këta persona udhëtojnë për herë të parë jashtë vendit. Me të ardhur këtu, i thoni ikni?
Soreca – “Sepse mezi pres zgjerimin. Liberalizimi i vizave është vetëm një hap drejt asaj dite kur Shqipëria do të jetë në Europë. E për këtë ka kushte. Zgjerim do të thotë që Shqipëria bëhet vend anëtar i BE-së, e për këtë do të duhet prapë ca kohë. Heqja e vizave është instrumenti që lejon që çdo shqiptar të njohë më mirë Europën e çdo europian të njohë më mirë Shqipërinë”.
Në Parlamentit Europian, përmes një video-konference, delegacioni shqiptar u përgëzua nga Komisionerët dhe Eurodeputetët, të cilët marrin pjesë në punimet e seancës plenare në Strasburg.
Top Channel